SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë organizojnë fushatën tradicionale të kartolinave festive.
Në programin e mëngjesit në RTK, Shpend Juniku, përgjegjës për mbledhjen e fondeve në “SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës”, foli për fushatën tradicionale të kartolinave të fundvitit me moton “Uro dhe Dhuro”.
Juniku theksoi se përmes kësaj fushate synohet mbledhja e fondeve për të ndihmuar fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe ata që rrezikojnë të braktisen për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
“Kemi përgatitur 9 dizajne të ndryshme të kartolinave, të cilat përshtaten për të gjitha grupmoshat. Këtë vit, një nga kartolinat është krijuar duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale, një element i ri që i shton kreativitet fushatës,” tha ai.
Fushata është tradicionale dhe zhvillohet që prej krijimit të SOS Fshatrave në Kosovë. Aktualisht, organizata mbështet 30 fëmijë pa përkujdesje prindërore që jetojnë në gjashtë SOS Familje, të përkujdesura nga gjashtë SOS Nana dhe gjashtë SOS Teze.
“Kjo është vetëm një ndihmë e vogël për të përmbushur nevojat e fëmijëve tanë, të cilët meritojnë të rriten ashtu siç duhet,” përfundoi Juniku.