Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka ripërsëritur angazhimin për të mbështetur projektet artistike që ruajnë kujtesën kolektive dhe nderojnë dinjitetin njerëzor.
Deklarata erdhi nga drejtoresha Sibel Halimi, pas një takimi me ish-presidenten Atifete Jahjaga, dhe drejtuesen e Fondacionit Jahjaga, ku u diskutuan nisma të përbashkëta për promovimin e muzeut “Çast” – një hapësirë e dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, themeluar nga Fondacioni Jahjaga.
“Përmes artit dhe simbolikës, muzeu sjell zërat dhe përjetimet e grave të mbijetuara, duke i shndërruar në një thirrje të heshtur, por të fuqishme, drejtuar shoqërisë, institucioneve dhe mbarë botës.
Në takim me presidenten Atifete Jahjaga, vlerësova kontributin e saj të jashtëzakonshëm në ngritjen e kësaj kauze dhe krijimin e muzeut si hapësirë kujtese dhe dinjiteti. Diskutuam për nisma të përbashkëta që synojnë promovimin e muzeut dhe forcimin e rolit të tij në ndërgjegjësimin publik,” ka shkruar Halimi në Facebook.
Ajo ka shtuar se Drejtoria për Kulturë, do të jetë gjithmonë mbështetës e projekteve artistike që ruajnë kujtesën kolektive dhe nderojnë dinjitetin njerëzor./Katror.info