Episodi i katërt i dokumentarit “4 Çerekët” rikthen në skenë kujtime dhe momente kyçe nga historia e basketbollit kosovar. Në rrëfimin e tij, ish-basketbollisti dhe gazetari sportiv Blerim Vuniqi tregon se si pasioni për lojën nisi si hobi, u shndërrua në profesion dhe më pas në stil jete.
“Kam nisur kur nuk ka pasur as trepikësh, as semaforë, as kosh me faul. Kam luajtur në ligat e një shteti që sot nuk ekziston dhe në ligat e një shteti që po e themelonim vetë, pa e ditur se kur ajo ëndërr do të bëhej realitet. Kam luajtur në beton, në sallat e sporteve e palestrat e shkollave fillore. Kam transmetuar Ligën e Kosovës nga sallat e ftohta me telefon statik për radio. Kam transmetuar NBA-n dhe Lojërat Olimpike,” – rrëfen Vuniqi.
Në këtë episod, emocionet e veçanta i sjell edhe Drilon Hajrizi, i cili kujton momentin historik të pranimit në FIBA dhe faktin që ishte ai që shënoi pikët e para zyrtare për Kosovën.
“Me të thënë të drejtën, edhe tani që po e them, më rrenqethet trupi. Ka qenë një kohë kur e shihje himnin e Kosovës duke u kënduar, e ktheje shikimin në të djathtë dhe shihje një Vitmar, vëllezërit Dragiqi dhe shumë lojtarë të tjerë me të cilët më parë nuk kemi pasur fatin të luajmë.
Ne i kishim parë vetëm në televizor, në kompeticione shumë të mëdha, dhe pastaj na u dha mundësia t’i përjetonim vetë ato momente madhore. Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Sipas mendimit tim, pranimi në FIBA është ngjarja më e madhe që i ka ndodhur basketbollit pas luftës.
Por, ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se pikët e para zyrtare i kam shënuar unë. Ishim në një grup shumë të vështirë, ku bënin pjesë Ukraina – një ekip shumë i fortë në atë kohë, Sllovenia e nivelit më të lartë, dhe Bullgaria që po ashtu kishte një skuadër shumë të fortë,” – kujton Hajrizi.
Dokumentari “4 Çerekët”, i autorit dhe producentit Leart Hoxha, me intervista të realizuara nga Blerim Vuniqi, është prodhim i Katror Media dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Episodin e katërt mund ta ndiqni këtu: