Sonte, dy skuadrat kosovare që janë ende pjesë e garave evropiane në këtë edicion, Drita dhe Ballkani janë para sfidave vendimtare për kualifikim tutje në Europa League, përkatësisht Conference League.
Drita kërkon fitore dhe kualifikim historik në ‘play-off’ në Europa League ndaj gjigantit rumun FCSB. Pas humbjes 3-2 në Bukuresht, ku për një moment kishin epërsi 0-2, kampionët e Kosovës besojnë se përmbysja është e mundur. Lajm i mirë për gjilanasit është rikthimi i sulmuesit Liridon Balaj, ndërsa mungon vetëm mbrojtësi kolumbian Juan Camilo Mesa. Përballja nis në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku pritet atmosferë e zjarrtë nga tifozët.
Ndërkohë, Ballkani luan në Irlandë ndaj Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë në Conference League. Nënkampioni i Kosovës ka epërsinë e një goli, pas fitores 1:0 në “Fadil Vokrri” dhe synon ta menaxhojë këtë epërsi në “Tallaght Stadium” të Dublinit. Trajneri i portokallezinjve nga Suhareka, Orges Shehi ka paralajmëruar lojë të kujdesshme, ndërsa vendasit pa dyshim se do të kërkojnë përmbysje para tifozëve të tyre.