Drita është gati për një ndeshje të vështirë sonte në Bukuresht. Drejtuesit e klubit nga Gjilani kanë deklaruar se janë të përgatitur për të zhvilluar një ndeshje të madhe kundër kampionit të Rumanisë, FCSB.
Ndeshja FCSB – Drita zhvillohet të enjten, nga ora 20:00, në Bukuresht dhe i takon raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Prishtinë.
“Na pret një përballje shumë e fortë kundër një skuadre cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta përjetojë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari si FCSB”, ka deklaruar trajneri Ramadani në konferencën për media.
Ai ka theksuar se nuk ishte aspak i befasuar nga eliminimi i FCSB-së nga Shkëndija në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.
“Nuk jam i befasuar, sepse vij nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë cilësinë e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati luan rol të rëndësishëm”, ka shtuar Ramadani.
Megjithëse kampioni i Rumanisë është në një krizë rezultatesh, Ramadani insiston se Dritën e pret një ndeshje e vështirë.
“Jemi përgatitur për një ndeshje të fortë ndaj një kundërshtari cilësor, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është prezente te FCSB”, ka thënë ai.
Ramadani gjithashtu ka komentuar edhe deklaratat e presidentit të klubit rumun, Gigi Becali, dhe trajnerit Elias Charalambous.
“Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll”, u shpreh trajneri i Dritës.
Në konferencë me Ramadanin ishte i pranishëm edhe portieri Faton Maloku, i cili e cilësoi të vështirë përballjen në Bukuresht:
“E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mirë. Nëse zbatojmë gjithçka që na ka treguar trajneri, besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv”, deklaroi Maloku.
Nëse Drita kalon në play-offin e Ligës së Evropës, përkatësisht nëse e eliminon kampionin rumun, atëherë do të përballet me skuadrën tradicionale skoceze, Aberdeen, shkruan RTK.
Ndërkohë, nëse eliminohet nga FCSB-ja, Drita do të vazhdojë garën në play-offin e Ligës së Konferencës./Katror.info