Garat shtesë në kuadër të Superligës ProCredit në basketboll po sjellin emocion të njëpasnjëshëm dhe kulme adrenalinë, ndërsa këtë mesjavë zhvillohen ndeshjet e katërta gjysmëfinale – përballje që mund të përcaktojnë finalistët e këtij edicioni.
Sipas formatit, skuadra që arrin tri fitore kalon në finale. Deri tani, çdo ndeshje gjysmëfinale është fituar nga skuadra vendase, duke e shtuar edhe më shumë tensionin për sfidat në vazhdim.
Në kryeqytet, Sigal Prishtina përballet me Trepçën në një takim që pritet të jetë i zjarrtë. Prishtinasit synojnë fitoren për të barazuar serinë në 2:2, ndërsa mitrovicasit kërkojnë triumfin që do t’i dërgonte për të katërtën herë radhazi në finale.
Trepça e fitoi ndeshjen e parë 80:65, Prishtina e barazoi në të dytën pas vazhdimeve 90:83, ndërsa të tretën sërish e fituan mitrovicasit 67:61.
Përballja tjetër gjysmëfinale zhvillohet mes Pejës dhe Bashkimit. Prizrenasit janë në epërsi 2:1 në seri dhe një fitore do t’i kthente në finale, kurse Peja do të kërkojë barazimin për ta çuar serinë në ndeshjen e pestë.
Bashkimi triumfoi në ndeshjen e parë 81:61 dhe në të tretën pas vazhdimeve 84:78, ndërsa Peja e fitoi ndeshjen e dytë 84:79./Katror.info
Orari i ndeshjeve gjysmëfinale IV:
- E mërkurë, 19:00: Sigal Prishtina – Trepça
- E enjte, 19:00: Peja – Bashkimi