Shqipëria vazhdon të përfitojë nga potenciali i sportistëve të natyralizuar, të cilët po shkëlqejnë në skenat ndërkombëtare. Një tjetër arritje madhore u shënua të mërkurën në Kampionatin Evropian të mundjes, që po zhvillohet në Bratislavë të Sllovakisë.
Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Chermen Valiev siguroi medaljen e artë për Shqipërinë në kategorinë deri 74 kilogramë, stil i lirë. Në finalen e madhe, ai mposhti me rezultat 4:2 Zaurbek Sidakovin, një mundës rus që aktualisht përfaqëson Federatën Botërore të Mundjes.
Valiev, i cili vjen nga Osetia Veriore – njëra nga republikat ruse – garon për Shqipërinë prej vitit të kaluar dhe tashmë ka një medalje bronzi olimpike në karrierën e tij. Rruga drejt medaljes së artë në Bratislavë u ndërtua përmes tri fitoreve të rëndësishme.
Ndërkohë, një tjetër emër i njohur, Zelimkhan Abakarov, siguroi medaljen e bronztë për Shqipërinë në kategorinë deri në 61 kilogramë.
Në ndeshjen për medalje, ai dominoi përballë moldavit Leomid Colesnic me rezultat bindës 11:0.
Abakarov, i cili vjen nga Dagestani, përfaqëson Shqipërinë që nga viti 2022.
Në repertorin e tij tashmë përfshihen një medalje e artë dhe një e bronztë nga kampionatet botërore, si dhe dy medalje të argjendta evropiane. /Katror.info
Përgatiti:
