Kur kanë mbetur edhe 25 ditë ditë deri në ditën kur qytetarët do t’i drejtohen përsëri kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur kanë vetëm 4 ditë kohë për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Komisioni Qendror Zgjedhor, të martën, refuzoi sërish certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetori. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kanë votuar kundër certifikimit. Dy anëtarë të tjerë, ajo e Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, kanë votuar për. Ndërkohë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë abstenuar.
LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe./AP/Katror.info










