Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) ka njoftuar se Edin Kolgeci është zgjedhur kryetar i ri i institucionit, pas mbështetjes unanime të delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur të enjten në Prishtinë.
Sipas njoftimit të FHK-së, Kolgeci, i cili ka një përvojë të gjatë si drejtues i klubit Prishtina dhe si ish-hendbollist, ishte kandidati i vetëm për këtë pozitë, transmeton Katror.info.
Mandati i tij do të zgjasë katër vjet, ndërsa ai ka premtuar angazhim maksimal dhe bashkëpunim me të gjitha palët për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit kosovar.
Në të njëjtin kuvend, Xhavit Morina u zgjodh nënkryetar i FHK-së, ndërsa Fatmire Ferati dhe Vlora Jashari u zgjodhën anëtare të Bordit me votat e delegatëve. Pjesë e bordit të ri janë gjithashtu Shemsa Sadiku si përfaqësuese e komuniteteve, Isak Osmani nga Shoqata e Gjyqtarëve dhe Faruk Shala nga Shoqata e Trajnerëve.
Në përputhje me statutin e FHK-së, presidenti Kolgeci emëroi Eugen Saraçinin, Fisnik Salihun dhe Agon Haxhikadrijën si tre anëtarët e tjerë të Bordit.
Gjatë kuvendit u miratuan raporti i punës, raporti financiar dhe ai i auditimit, si dhe plani i punës dhe ai financiar për vitin 2025. Po ashtu, u vendos për themelimin e Shoqatës së Hendbollistëve, e cila, sipas ligjit të ri për sport, do të ketë përfaqësuesin e saj në Bordin e FHK-së.
Federata e Hendbollit të Kosovës ka bërë të ditur se punimet e kuvendit u zhvilluan në një frymë pozitive, ndërsa diskutimet ishin konstruktive dhe në përputhje me ligjet e reja në fuqi. /Katror.info
Përgatiti:
