Nga: Edona Demiqi Haxhiu, gazetare
Me mbi një dekadë përvojë në gazetari, rrallëherë më ka ndodhur të shoh një medium të ri që brenda një kohe kaq të shkurtër të arrijë të ndërtojë jo vetëm identitet të qartë profesional, por edhe besim te publiku.
Kjo është ajo që ka arritur të bëjë Katror Media në vetëm tre vjet.
Në një treg mediatik të vogël dhe shpeshherë të mbingarkuar me lajme që synojnë të kapin vëmendjen përmes negativitetit, sensacionalizmit dhe titujve të trilluar, Katror Media ka zgjedhur një qasje krejt tjetër, të ndërtojë një platformë që promovon vlerat, shembujt pozitivë dhe rrëfimet që ndikojnë realisht në mendësinë shoqërore.
Kjo nuk është zgjedhje e lehtë në një treg ku matësi i parë i suksesit shpesh mbetet klikimi. Por është zgjedhje strategjike, e qëndrueshme dhe mbi të gjitha, e dobishme për shoqërinë.
Zgjedhja për t’i dhënë hapësirë të madhe individëve, komuniteteve dhe iniciativave që kontribuojnë në të mirë të shoqërisë është një kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin e një diskursi publik më të shëndetshëm dhe më realist. Katror tregon se suksesi, përkushtimi dhe ndryshimi janë pjesë e përditshme e realitetit tonë vetëm duhet të vërehen dhe të vlerësohen.
Në aspektin teknik dhe organizativ, Katror Media funksionon me një qasje që i afrohet standardeve evropiane të gazetarisë digjitale. Prezantimi vizual, struktura e përmbajtjes, qartësia në mesazhe dhe gjuha profesionale janë indikatorë të një pune redaktoriale të organizuar mirë.
Pas këtij vizioni qëndrojnë dy profesionistë të njohur për integritetin dhe energjinë e tyre kreative Muhamet dhe Albana Jashanica. Si themelues dhe drejtues të Katror Media, ata kanë sjellë në skenë një platformë që jo vetëm përmbush një boshllëk në treg, por e shikon gazetarinë si mision shoqëror, jo vetëm si produkt mediatik.
Përgatiti:
