Në Galerinë Kombëtare të Kosovës të mërkurën nga ora 19:00 hapet ekspokzita retrospektive e artistit Gjelosh Gjokaj, e titulluar “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj“, kuruar nga Shkëlzen Maliqi.
Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar.
Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë. Në Kosovë Gjelosh Gjokaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog dhe themelues i shkollës së grafikës dhe si piktor.
Kjo ekspozitë e organizuar për nderë të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokajt, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit, është ai i Sead Gjokajt nga Podgorica, një kushëri entuziast i Gjeloshit i cili në dy dekadat e fundit ka arritur ta bëjë, pos monografisë më përfshirëse dhe më cilësore të krijimtarisë së Gjeloshit, edhe një koleksion të begatë privat të veprës së Gjelosh Gjokajt.
Në këtë ekspozitë, koleksionin e jashtëzakonshëm të Seadit, e plotësojnë edhe 18 veprat e Gjelosh Gjokajt që i posedon fundusi i Galerisë Kombëtare të Kosovës, që duhet të jetë koleksioni më i madh institucional i veprës së tij.
Me këto dy koleksione, që janë kompatibile, është mëtuar arritja e prezentimit të tërësisë së opusit të Gjelosh Gjokajt, që as gjatë jetës së tij nuk është realizuar si retrospektivë e këtij formati përfaqësues.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024./Katror.info