Një arritje e veçantë për teknologjinë dhe sigurinë kibernetike shqiptare u shënua më 8 gusht 2025 në konferencën ndërkombëtare DEF CON 33, një nga ngjarjet më prestigjioze në botë në fushën e sigurisë digjitale, shkruan Katror.info.
Endrit Shaqiri, studiues dhe ekspert në fushën e kibernetikës dhe inteligjencës artificiale, prezantoi projektin AIMAL (Artificial Intelligence for Malware Analysis & Learning), një platformë inovative që përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar, analizuar dhe parandaluar kërcënimet dixhitale të së ardhmes. Në këtë iniciativë të rëndësishme është angazhuar edhe Natyra Shaqiri, studente e sigurisë kibernetike dhe bashkëpunëtore strategjike e projektit, e cila përfaqësoi ekipin në Las Vegas duke treguar vizionin dhe pasionin që qëndron pas AIMAL.
Prezantimi i tyre në skenën e Red Team Village & DemoLabs u prit me interes dhe vlerësim nga komuniteti ndërkombëtar i ekspertëve të teknologjisë dhe sigurisë, duke nxjerrë në pah potencialin e madh të inovacioneve të zhvilluara nga profesionistë shqiptarë. “Inovacioni nuk njeh kufij. Talenti ynë udhëton nga Prishtina në Las Vegas,” u shpreh ekipi i AIMAL, duke e konsideruar pjesëmarrjen në DEF CON 33 si dëshmi të përkushtimit dhe aftësisë konkurruese në arenën globale.
Ekspertë nga e gjithë bota i dhanë projektit AIMAL vëmendje të veçantë dhe kërkesa për bashkëpunim, duke i dhënë kështu një shikueshmëri të madhe në komunitetin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike. Përveç kësaj, organizatorët e DEF CON i nderuan me mirënjohje dhe falënderime për cilësinë dhe rëndësinë e punës së tyre inovative.
Ky sukses përfaqëson jo vetëm një arritje personale për Endritin dhe Natyrën, por edhe një moment krenarie për prezantimin e dijes dhe profesionalizmit shqiptar në skenën më të madhe të sigurisë kibernetike në botë./Katror.info