Filmi artistik “Era” i regjisores kosovare Parta Kelmendi ka fituar vendin e parë në edicionin e 24-t të “Cinedays Festival of European Film” në Shkup, përcjell RTV21. Juria theksoi se përzgjedhja ishte e vështirë për shkak të konkurrencës së fortë, me vepra nga Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia.
“Era” rikthen kujtimet e viteve ’90 në Kosovë dhe trajton temën e rrallë të “vjedhjes” së rinisë në fillim të luftës. Ana Opaqiq, anëtare e jurisë, vlerësoi se filmi me dialog minimal dhe qasje precize regjisoriale hap dhe mbyll shumë dilema, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm për periudhën e trazuar të okupimit.
Gjatë 94 minutave, filmi ndjek historinë e një vajze të re nga Prishtina, e cila detyrohet të adaptohet me jetën e fshatit dhe përballet me sfida personale, marrëdhënie familjare dhe rregulla tradicionale. Historia merr një kthesë kur një djalë ndihmon njerëzit të largohen nga vendi, duke e vendosur protagonisten përballë dilemës mes qëndresës dhe ikjes.
Përveç Ana Opaqiq, pjesë e jurisë ishin edhe Fatos Berisha dhe Jasmina Karajlloviq. “Era” tashmë ka fituar vlerësime edhe jashtë rajonit, duke marrë çmime në festivale ndërkombëtare, përfshirë New York./RTV21/Katror.info










