Ideja që erëzat janë plot me përbërës që forcojnë shëndetin nuk është e re. Që nga Egjipti dhe Greqia e lashtë, deri te mjekësia tradicionale kineze dhe ajo ayurvedike, erëzat janë përdorur për shekuj me radhë për të trajtuar sëmundje të ndryshme.
Në kohën e Tudorëve, mendohej se thjesht nuhatja e një pomanderi (një lloj kuti aromatike), e mbushur me karafil dhe kanellë, mund të largonte murtajën; madje mbreti Henri VIII besonte se ngrënia e xhenxhefilit mund të kishte të njëjtin efekt.
Në ditët e sotme, interneti është i mbushur me suplemente të shtrenjta me ngjyrë të artë të verdhë nga shafrani i Indisë (turmeriku) dhe me pretendime të shumta për përfitime shëndetësore të erëzave të ndryshme.
Megjithatë, shkencëtarët ushqimorë kanë gjetur prova të hershme se erëzat mund të ndihmojnë në mbrojtjen nga sëmundjet kronike serioze. Si?
Përveç vitaminave dhe mineraleve esenciale, të gjitha erëzat janë të pasura me polifenole – përbërës bimorë me veti antimikrobike dhe antioksiduese, që ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet.
Për shembull, 100 gramë kanellë përmbajnë 9,700 mg polifenole, ndërsa 100 gramë boronica përmbajnë 550 mg, dhe i njëjti peshë brokoli vetëm 199 mg, shkruan The Telegraph.
Sigurisht, askush nuk do të konsumonte 100 gramë kanellë në një vakt, por edhe një lugë e vogël (2.5g) përmban 243 mg polifenole – një sasi mbresëlënëse, sidomos kur e shtojmë mbi fruta ose perime.
Erëzat e thata gjithashtu kontribuojnë në qëllimin për të konsumuar 30 lloje bimësh në javë – një numër që, sipas American Gut Project, ndihmon në ndërtimin e një mikrobiome të shëndetshme të zorrëve.
Turmeriku (Shafrani i Indisë)
Më i mirë për tretje dhe uljen e inflamacionit
Pigmenti i verdhë i turmerikut, kurkumina, është antioksidanti kryesor që ndihmon në uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e tretjes. Disa studime sugjerojnë se turmeriku mund të lehtësojë simptomat e artritit, në mënyrë të ngjashme me ilaçet anti-inflamatore jo-steroide.
Ai përmban gjithashtu minerale të rëndësishme si kalium, kalcium, fosfor, hekur, bakër, magnez, zink dhe mangan. Një studim i vitit 2023 tregoi se turmeriku ishte po aq efektiv sa ilaçi omeprazol në trajtimin e dispepsisë (urthit).
Si ta konsumoni:
Kombinojeni me piper të zi (piperinë) për të përmirësuar përthithjen dhe përdoreni me pak yndyrë (p.sh. në qumësht ose vaj), pasi kurkumina është e tretshme në yndyrë. Mos e teproni me suplementet – pasi dozat e larta mund të jenë të dëmshme për mëlçinë.

Piper i kuq
Më i mirë për shëndetin e syve
Piperi i kuq është i pasur me karotenoide (alfa dhe beta-karoten), të cilat trupi i shndërron në vitaminë A, thelbësore për shikim të mirë.
Këto karotenoide, si luteina dhe zeaksantina, mbrojnë retinën nga dëmtimet e shkaktuara nga drita dhe ndihmojnë në parandalimin e degjenerimit makular dhe kataraktës.
Si ta konsumoni:
Si piperi i freskët ashtu edhe ai i tharë përmbajnë karotene; tharja madje ndihmon në ruajtjen e përbërësve ushqyes. Vetëm një lugë e plotë (rreth 4g) piper i kuq mbulon nevojën ditore të trupit për vitaminë A.

Kanella
Më e mirë për kontrollin e sheqerit në gjak
Kanella përmban shumë vitamina dhe minerale – përfshirë vitaminën K, kaliumin, kalciumin, hekurin, magnezin dhe manganin. Studime të ndryshme kanë treguar se mund të ulë nivelin e glukozës në gjak, si te personat me diabet tip 2, ashtu edhe te individët e shëndetshëm.
Shkencëtarët besojnë se kanella imiton efektin e insulinës, duke ndihmuar në rregullimin e përthithjes së sheqerit në gjak.
Si ta konsumoni:
Në disa studime janë përdorur deri në 6g në ditë (rreth 2.5 lugë çaji), por nuk ka ende prova të mjaftueshme për ta rekomanduar këtë sasi çdo ditë. Përdoreni për të zëvendësuar sheqerin në kafe, kos, ose drithëra mëngjesi.

Xhenxhefili
Më i mirë për të përmirësuar tretjen dhe lehtësimin e nauzës
Xhenxhefili është i pasur me minerale si kaliumi, magnezi, hekuri, bakri dhe vitamina si B6 dhe niacina.
Ai është i njohur për efektin e tij kundër nauzës – veçanërisht gjatë shtatzënisë – dhe rekomandohet nga NICE si trajtim natyral.
Ka gjithashtu veti karminative, që ndihmojnë në uljen e fryrjes, gazrave dhe dispepsisë.
Si ta konsumoni:
Një çaj me xhenxhefil është një mënyrë e mirë për të lehtësuar vjelljen dhe për të përmirësuar tretjen. Përdorimi si i freskët ashtu edhe i tharë ofron të njëjtat përfitime.

/AP/Katror.info













