Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka ndarë historinë frymëzuese suksesi të Esma Ferës, vetëm 23 vjeçe, e cila u bë shqiptarja e vetme që ka diplomuar në drejtimin specifik të Biologjisë Molekulare dhe Qelizore në Universitetin e New Haven në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga universitetet me renome ndërkombëtare, shkruan Katror.info.
Në mesin e mbi 3,000 studentëve që përfunduan studimet këtë vit, Esma ka spikatur jo vetëm për përkushtimin e saj akademik, por edhe për arritjet e jashtëzakonshme. Ajo është nderuar me titullin “Magna Cum Laude”, një vlerësim që u jepet studentëve me rezultate të larta në studime.
Kjo nuk është ndalesa e saj e fundit në udhëtimin akademik. E etur për dije dhe e pasionuar pas shkencës, Esma do të vazhdojë studimet në nivelin e doktoraturës në drejtimin e Biologjisë së Kancerit në Universitetin prestigjioz publik të Wisconsin–Madison. Kalimi nga niveli Bachelor direkt në doktoraturë tregon jo vetëm kapacitetin e saj intelektual, por edhe vlerësimin që komuniteti shkencor i bën punës dhe përkushtimit të saj.
“Kjo është një kënaqësi e madhe dhe një ndjenjë krenarie kur sheh nga afër suksese të tilla të rralla,” ka shkruar kryetari Rahimaj në postimin e tij, duke theksuar se karriera e Esmës vetëm sa ka filluar.
Me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe një vizion të qartë për të kontribuar në zbulimin e trajtimeve të reja për sëmundje të rënda, Esma përfaqëson gjeneratën e re të shkencëtarëve që nuk ndalen para sfidave. Ajo është dëshmi se edhe nga një fshat i vogël i Kosovës mund të dalin mendje të ndritura që ndikojnë në zhvillimet globale në fushën e shkencës dhe mjekësisë./Katror.info