Festivali i kulturës dhe traditës shqiptare “Etno Fest” ka njoftuar se edicioni i 15-të do të mbahet nga data 10 deri më 20 korrik.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, “Etno Fest” sivjet zhvillohet me temën e identitetit.
“Performanca teatrale që eksplorojnë rrënjët, përkatësinë dhe tregimet personale; koncerte muzikore që ndërthurin meloditë tradicionale shqiptare me ritme bashkëkohore; ekspozita dhe instalacione artistike që, përmes vizualitetit, shprehin sfidat dhe bukuritë e identitetit në kohët moderne”, thuhet në njoftim.
Festivali zhvillohet tradicionalisht në fshatin Kukaj.
Ndërkaq edicioni i 14-të i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, “EtnoFest”, u mbajt nga 10 deri më 18 gusht 2024 në fshatin Kukaj të Prishtinës. Tema e këtij edicioni ishte “Lumturia”, duke synuar të eksploronte procesin dhe elementet që çojnë në ndjenjën e lumturisë përmes artit dhe kulturës./Katror.info