Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka njoftuar për përforcimin e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR).
Sipas një komunikate online, kjo njësi, e përbërë nga pjesëtarë të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia, do të mbështesë stabilitetin dhe sigurinë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Siç thuhet, pjesëtarët e EUROGENDFOR-it do të punojnë përkrah NJPS-së aktuale, të cilën EULEX-i e siguron në bashkëpunim me Policinë e Polonisë. Njësia Rezervë do të kontribuojë në përmbushjen e mandatit të EULEX-it duke kryer patrullime të dukshme dhe duke përmirësuar mbikëqyrjen e situatës në terren.
”NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë – duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën, ” thuhet në komunikatë, përcjell Katror.info.
Ky është dislokimi i pestë i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it, që nga dislokimi i parë në mars 2022.
EULEX njofton ai shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.. /Katror.info
Përgatiti:
