Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Gjakovë u bënë qendrat e informimit dhe bashkëpunimit për zhvillimin rural gjatë dy ditëve të fundit, ku D&D Business Support Center organizoi me sukses katër sesione informuese për Skemën e Granteve për Zhvillim Rural.
Këto takime mblodhën dhjetëra fermerë, përfaqësues të bizneseve rurale dhe individë të interesuar për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse, duke dëshmuar interesim të lartë dhe një atmosferë të ngarkuar me energji pozitive.
Pjesëmarrësit u njohën në detaje me mundësitë e financimit përmes dy kategorive të granteve:
- LOT 1, në vlerë prej 1,500€ deri 5,000€, i dedikuar për individë, fermerë dhe mikro-biznese
- LOT 2, në vlerë prej 5,001€ deri 50,000€, për fermerë dhe biznese të vogla apo të mesme
Gjatë sesioneve u ofruan udhëzime të qarta mbi procedurën e aplikimit, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin e nevojshëm, ndërkohë që u theksua edhe roli mbështetës i D&D në të gjitha fazat e aplikimit.
Diskutimet u zhvilluan në mënyrë interaktive, duke i dhënë pjesëmarrësve hapësirë për të adresuar pyetje konkrete dhe për të marrë përgjigje të drejtpërdrejta nga ekspertët.
Skema e granteve është pjesë e një iniciative të përbashkët të Qeverisë Gjermane përmes GIZ Kosova, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, dhe zbatohet nga D&D Business Support Center./Katror.info