Shtatori hala s’po mundet mu çkap prej prej gushtit, hala kohë vere, ama me një freski që ka fillu me na jep ndjenjën se po vjen stina ku krejt po bohen më serioz në përditshmëri. Plus kjo javë ka edhe program seriozisht t’mirë kulturor. Këtë javë, Prishtina ka PriFestin, festivalin që s’ka nevojë me e prezantu shumë. Osht 16-vjeçar, i lidhun me kujtimin e Vjosa Berishës dhe vitin e pavarësisë, i ka filmat, afterat dhe krejt atë atmosferën kur ta merr mendja që je në një qytet filmash.
Veç pak ma tutje, në bunkerin e renovum të Ulpianës, Vleri Beqaj po e hap Qendrën e re të arteve, me “Bleeding Silence”, një performancë/instalacion t’bome me ndjersë dhe gjak. Për ata që e matin javën me BPM, Euphoria 13 te AMC Hall ka me pru techno deri në sabah.
Suhareka po tregon që edhe qytetet e vogla dijnë dhe mujnë: Festivali i 6-të i Teatrove në Shpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi” sjell trupa nga Kosova e rajoni, me mikpritjen që shkon bashkë me verën e vendit. Ndërkohë, Flori Gallery po nis edicionin e 14-të të Euro Kosova Art.
Anej kah Shkodra, Art House feston 10-vjetorin me “Homeward” me 33 artistë që po flasin për ikje e kthim. Po aty afër, Galeria Oda pe hap sezonin me Majlinda Kelmendin dhe “Struktura të papajtueshme”, që vetëm titulli ta bon me u ndal e me e pa. Në COD Tiranë, Jakup Ferri lozonjar e ka ekspozitën e tij të parë në Shqipni me titull “Tempo”.
Për një pushim prej ngjarjeve, Gran Fest po sjell stripin “Toka dhe Uji – Kamboxha 1975-79” nga Séra, një rrëfim i ilustrum për një tragjedi që shumica e kanë harru, por që të rri gjatë në mendje edhe masi e mbyll faqen e fundit.
Qe pra edhe një Monday Marks, me meny t’mirë ngjarjesh se ku me shku, çka me pa, e çka me lexu.
Me marr pjesë: Prishtina Film Fest / Kino Armata, Prishtina
Prishtina Film Festival (PriFest) dallohet prej krejt festivaleve tjera për disa arsyje. Së pari, osht legacy e gjallë e Vjosa Berishës, themelueses së ndjerë të festivalit që ka qenë një nga figurat emblematike të industrisë së filmit dhe asaj kreative në Kosovë. Së dyti, PriFest osht themelu në vitin kur Kosova osht shpallë e pavarun dhe diqysh osht ngjiz me krejt hallet e potencialet e shtetit. Së treti, por jo ma pak randësi, ka program filmik tepër t’mirë, party dhe evente derivative t’mira dhe t’randësishme për skenën e filmit (përfshi tepihun e kuq ma t’njoftun), si dhe mysafirë të famshëm filmik nga mbarë bota. Sivjet vjen pra edicioni i 17-të, që mbahet nga 9 deri 14 shtator, me plot filma, plot aftera, plot shoqni dhe si gjithmonë, në kujtim të Vjosës me moton #forher.
Me pa: Ekspozita e Vleri Beqaj “Bleeding Silence” për Bienalen e Prishtinës / Qendra e re e arteve Ulpianë
Prishtina e ka një hapësinë të re kulturore, të vendosun brenda bunkerit të vjetër nga koha e ish-Jugosllavisë, të sapo-renovuar dhe përshtatun për ngjarje kulturore dhe artistike nga komuna e Prishtinës. Ekspozita e parë osht e Vleri Beqaj, e organizume nga organizata Prishtina Biennale, e që në të vërtetë osht një performancë/instalacion që bashkon modën, emocionin dhe gjestin koxha radikal dhe pak sa morbide. Sipas tekstit kuratorial “Bleeding Silence” e “mishno peshën e heshtjes dhe urgjencën e çlirimit, e përthithur me 200ml gjak të vetë artistit, duke e shndërru veshjen në një enë materiale dhe emocionale.” Nga 9 deri 12 shtator, te Ulpiana.
Me kcy: Edicioni i 13 i Euphoria / AMC Hall, Prishtinë
Javët që shkuan ka pasë koxha ngjarje të muzikës elektronike, por kurrë s’osht boll për ata që dojnë me kcy e me dëgju muzikë me BPM të naltë, Euphoria osht eventi i madh i rradhës, me plot DJ mysafirë që lëshojnë techno për vesh e për palcë të kurrizit. Pra me 13 shtator, edicioni i 13-të, në AMC Hall, me llajnap prej Oguz, Neek, Nikolina, Loren, Arzy, Sinkotek, Mindbend. Mjaftushëm për party deri n’sabah.
Me pa: Festivali i 6-të i Teatrove Suharekë / Shpija e Kulturës “Ukë Bytyqi”, Suharekë
Suhareka e ka një shpi të re të kulturës me hapësina tepër t’mira për shfaqje dhe performanca, dhe osht nikoqire e festivali të gjashtë të teatrove, që sjell pjesë teatrale nga Prizreni, Gjilani, Gostivari, Tetova e Presheva, prej 8 deri 12 shtator. Qytetet e vogla dijnë m’u kanë nikoqire t’mirë për artista dhe publik, e Suhareka ka traditë t’mikpritjes, vneshta t’mira dhe nuk osht larg hiç prej kudo që jeni se qëndron pranë autostradës. Ndoshta mundeni me vizitu?
Me pa: Edicioni i 14-të i festivalit ndërkombëtar EURO KOSOVA ART / Flori Gallery, Prishtina Mall
Flori Gallery osht hapësinë koxha e madhe në qendër tregtare mega t’madhe, por po e mban një program interesant me ekspozita pak ma klasike. Tash osht nikoqire e festivalit të 14-të Euro Kosova Art, që bashkon artistë ma shumë a ma pak të njohun nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, e që sipas tekstit kuratorial “sjellin para publikut krijime që pasqyrojnë talentin, vizionin dhe ngjyrat e kulturave të ndryshme.” Fillon me 13 shtator, ora 19:00 dhe ndoshta ja vlen me shku, mundeni edhe mu befasu?
Me pa dhe me festu: “Homeward”, 10 vjetori i Art House / Art House, Shkodër
Një ditëlindje jubilare e shpisë ma të njoftun të artit dhe filmit kontemporan në veri të Shqipnisë, Art House në Shkodër, të themelume nga Adrian Paci dhe Tea Paci. Ngjarja e titullume “Homeward” (Pej shpije) osht një kthim I kujtimeve por edhe ftesë me reflektu mbi çka don me thanë me ikë e m’u kthy e me mendu se qysh mundet m’u kanë një ftyrë e mundshme e të ardhmes. Kjo ekspozitë me 9 dhe 10 shtator mbledh 33 artistë, veprat e të cilëve ndjekin gjurmët e kthimit, trashëgimisë dhe ripërtëritjes. Në dialogun e tyne, shfaqet jo vetëm se çka do me thanë m’u kthy, por edhe mundësitë që shpalosen kur kqyrim kah e ardhmja. Programi i pasun, me punime t’mira por edhe muzikë.
Me pa: Ekspozita “Tempo” e Jakup Ferrit / COD, Tiranë
Qendra për Hapje dhe Dialog, hapësinë e njoftun kulturore pranë Kryeministrisë në Tiranë, pe hap sezonin e vjeshtës me ekspozitën e artistit të njoftun prishtinali Jakup Ferri, me ekspozitën e titullume “Tempo”. Kjo osht njëkohësisht edhe ekspozita e parë personale e Jakup Ferrit në Shqipëri, që po e sjell në COD një univers të gjallë plot ngjyra, figura dhe ritme që vallzojnë mes reales dhe imagjinares. Ekspozitën e Jakupit e keni të hapun nga 11 shtator – 10 tetor.
Me pa: Ekspozita personale e Majlinda Kelmendi “Struktura të papajtueshme” / Galeria Oda, Shkodër
Nëse kaloni kah Shkodra e bukur, ndaluni edhe te Galeria Oda për një ekspozitë të Majlinda Kelmendit, profesoreshës, artistes dhe themeluses së Expoart.40 në Prishtinë, për të cilën kemi shkru edhe ma heret. Titulli intrigus që na fton me mendu gjon e gjatë, por dijeni që ekspozita hapet sot me 8 shtator, në ora 19:00.
Me lexu: Stripi “Toka dhe Uji – Kamboxha 1975-79” nga Séra / Shpija botuse Pro Arte dhe Gran Fest
Gran Festi osht festivali i vetëm i stripave dhe novelave grafike n’Kosovë, por ka edhe një shprehi t’mire me botu përzgjedhje të stripave, kryesisht me përmbajtje aktiviste dhe të randësishme shoqnore me tema nga Ukraina e Lindja e Mesme, deri te biografi t’vizatume e kësaj rradhe po ju propozojmë një rrëfim stripi të titullum “Toka dhe Uji” nga autori Séra, përkthyme shqip nga Gazend Bërlajolli. Pakkush e din sot për tragjedinë e përgjakshme të Kamboxhës dhe terrorin e Kmerëve të Kuq, kur numër pamundësisht i madh i njerëzve u patën vra dhe masakru, por autori e sjell një version të rrëfimit të ilustrum me imazhe t’forta, me tekst depërtues dhe me elemente dokumentare që bashkarisht e bojnë novelën grafike me lanë përshtypje gjatë edhe mas leximit./Katror.info
Marrë nga Suzanne Podcast.