Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ka prezantuar identitetin e ri vizual për edicionin e tretë. Imazhi zyrtar i festivalit është realizuar me ngjyra të ndezura, tipografi retro dhe energji të frymëzuar nga pop-rock-u i viteve ’90. Ky frymëzim bart kujtimet e një periudhe kur muzika ishte zëri i një brezi të palodhur.
Identiteti është konceptuar nga dizajneri i RTK-së, Besim Mikullovci, i cili ka sjellë një kombinim të guximshëm mes nostalgjisë dhe modernitetit.
Ngjyrat e forta, të ndikuara nga posterat e estetikës pop-rock të viteve ’90, pasqyrojnë rebelimin, energjinë dhe frymën e lirisë që mbarte muzika e asaj kohe. Në këtë mënyrë, Festivali i Këngës synon të rikthejë jehonën e një epoke kur muzika ishte më shumë se argëtim – ishte rezistencë kulturore.
Ndërkohë, festivali ka publikuar dje listën e 20 këngëve garuese të këtij edicioni. Nga 44 aplikime, komisioni përzgjedhës ka përfshirë emra të njohur të skenës vendore, por edhe artistë me krijimtari të veçantë, të cilët do të ngjiten në skenën e tri netëve të “Fest 3”. /RTK/Katror.info