Së shpejti pritet të nisë edicioni i katërt i festivalit ndërkombëtar të vallëzimit “Newborn Kosova”, një ngjarje që tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në kalendarin kulturor të vendit, shkruan Katror.info.
Për të ndarë më shumë informacione rreth këtij organizimi, e ftuar në një intervistë në programin e mëngjesit në RTK ishte Zymrije Grajçevci, drejtoreshë e festivalit dhe përfaqësuese e FIDAF Kosova.
“Si zakonisht, do të jetë pjesa garuese, ku shtetet pjesëmarrëse do të prezantojnë kulturën e tyre para jurisë, e cila do të vlerësojë mënyrën se si ato e shfaqin atë përmes vallëzimit në skenë. Festivali zgjat pesë ditë; tri ditë do të zhvillohen garat në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ndërsa dy ditët e tjera janë të rezervuara për aktivitete shtesë në qytete të tjera,” tha Grajçevci.
Ajo theksoi gjithashtu se organizimi i këtij festivali është rezultat i një pune shumëvjeçare.
“Ky organizim nuk ka ndodhur rastësisht apo vetëm tani. Ne kemi filluar të punojmë për këtë festival që nga viti 2014. Kemi krijuar rrjetin tonë përmes OJQ-së sonë në bashkëpunim me Federatën Botërore të Vallëzimit dhe Festivaleve. Kjo është një derë mundësie për grupet ndërkombëtare që të na vizitojnë dhe të njihemi më nga afër me valltarë nga mbarë bota,” u shpreh ajo./Katror.info