Mitrovica do të pulsojë nën ritmet e jazz-it dhe zhanreve moderne nga data 8 deri më 10 gusht 2025, kur qyteti do të mirëpresë edicionin e radhës të festivalit ndërkombëtar “Mitrovica International Jazz Days”. Me moton simbolike “MitroLove”, festivali jo vetëm që promovon muzikën cilësore, por edhe angazhohet për fuqizimin e të rinjve dhe grave në skenën muzikore, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, shkruan Katror.info.
Për tre netë me radhë, artistë të njohur të jazz-it nga vende të ndryshme të botës do të ngjiten në skenë, duke sjellë performanca të paharrueshme për publikun mitrovicas dhe vizitorët nga më gjerë. Festivali synon të shndërrojë Mitrovicën në një qendër të energjisë kreative dhe të bashkëjetesës përmes muzikës.
Organizatorët kanë hapur thirrjen për muzikantë të rinj nga mosha 18 deri në 30 vjeç që luajnë jazz, por edhe zhanre të tjera moderne si rock, alternative, hip-hop, punk, metal, new wave, fusion dhe pop. Të interesuarit mund të aplikojnë për të performuar si solistë ose si pjesë e një grupi deri në pesë anëtarë, duke pasur një mundësi unike për të ndarë skenën me artistë ndërkombëtarë dhe për të ndërtuar ura të reja përmes muzikës.
“Mitrovica International Jazz Days” është më shumë se një festival – është një platformë për bashkim kulturor dhe afirmim të talenteve të reja, që këtë vit vjen me një mesazh të fuqishëm: dashuri, diversitet dhe bashkëjetesë përmes tingujve të jazz-it./Katror.info