Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, ka njoftuar se FIBA ka publikuar një artikull të veçantë kushtuar zhvillimeve të fundit në basketbollin kosovar, duke vlerësuar vizionin dhe transformimin që po ndodh përmes programit FIBA PLUS.
Sipas Dushkut, vlerësimi nga FIBA përbën një konfirmim të rëndësishëm se Kosova është në rrugën e duhur drejt ndërtimit të një sistemi më profesional, më të organizuar dhe më konkurrues në arenën ndërkombëtare.
FBK ka prezantuar gjithashtu Strategjinë 2026–2030, e cila mbështetet në pesë shtylla kryesore që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit në vend:
1.Krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të edukimit për trajnerët – me synim ngritjen e standardeve profesionale në të gjitha klubet.
2. Program i ri i zhvillimit të talentëve – që mbulon nga grupmoshat e reja e deri te talentët elitarë.
3. Rritja e komunitetit të basketbollit – përfshirje më e madhe e fëmijëve, tifozëve dhe shoqërisë në përgjithësi.
4.Nxitja e pjesëmarrjes së femrave në sport – duke krijuar hapësira të sigurta dhe inkurajuese për vajzat dhe gratë.
5. Forcimi i përfaqësueseve kombëtare – përmes punës së strukturuar dhe ambicieve të qarta në arenën ndërkombëtare.
Dushku theksoi se FBK është krenare për drejtimin që ka marrë basketbolli kosovar, ndërsa falënderoi FIBA-n për mbështetjen e vazhdueshme.
“Ky është vetëm fillimi,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se transformimi i nisur do të vazhdojë me hapa të qëndrueshëm dhe vizion afatgjatë. /Katror.info














