Filharmonia e Kosovës ka mbajtur koncertin e saj tradicional në shënim të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke sjellë një rrugëtim muzikor nëpër vepra që pasqyrojnë historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Orkestra dhe Kori i Filharmonisë u duartrokitën gjatë nga publiku në këtë mbrëmje të veçantë, shkruan Katror.info.
Nën dirigjimin e maestro Baki Jasharit, koncerti u hap me ‘Suita Ilire’ të kompozitorit Mark Kaçinari, i cili këtë vit përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes. Publiku pati rastin të dëgjojë edhe tri vepra premierë: ‘Fantazi për piano’ të interpretuar nga pianisti virtuoz nga Tetova, Shkëlzen Baftiari; poemën simfonike ‘Mizer-Reçak’ të Librun Jupollit, një homazh prekës për viktimat e masakrës së Reçakut; si dhe kantatën ‘I miri i motrës’ të Korab Shaqirit, me solisten e njohur, mexosopranon Flaka Goranci.
Repertori i koncertit përshiu gjithashtu një interpretim të fuqishëm të ‘Dies Irae’ nga ‘Messa da Requiem’ e Giuseppe Verdit, duke sjellë një moment solemn dhe emocional për publikun. Mbrëmja kulmoi me veprën ‘Vendi im’ të kompozitorit Valton Beqiri, e cila u interpretua me një patos të veçantë mbi temën e këngës ‘Mallëngjimi’.
Koncerti i Filharmonisë së Kosovës për Pavarësi mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit, duke shërbyer si një reflektim mbi identitetin, historinë dhe trashëgiminë muzikore të vendit./Katror.info