Me synimin për të lehtësuar dhe përmirësuar qasjen në shërbime për qytetarët dhe bizneset, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka nisur punën për krijimin e skemave të reja financiare të dedikuara për sektorin privat – përfshirë sektorin rezidencial dhe atë të bizneseve.
Në këtë proces, FKEE po mbështetet nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor – LuxDev, përmes një bashkëpunimi të financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Kjo përkrahje profesionale synon të forcojë kapacitetet vendore në zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm financiarë në fushën e efiçiencës së energjisë.
Si pjesë e këtij bashkëpunimi, të mërkurën u mbajt një punëtori ku morën pjesë ekspertë të fushave përkatëse si dhe përfaqësues të donatorëve të tjerë të FKEE-së. Gjatë diskutimeve u adresuan alternativa të mundshme për politikat e reja, kriteret e pranueshmërisë si dhe indikatorët kyç që do të formësojnë këto skema financiare.
FKEE thekson se përvoja e deritanishme në zbatimin e projekteve përmes subvencioneve dhe skemës kthyese të investimit do të shërbejë si bazë e fuqishme për hartimin e këtyre skemave të reja, të cilat synojnë të jenë më gjithëpërfshirëse, më të qasshme dhe më afër nevojave të qytetarëve.
Ky zhvillim pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e efiçiencës së energjisë në të gjithë vendin, duke përmirësuar njëkohësisht edhe cilësinë e jetesës dhe qëndrueshmërinë energjetike në Kosovë.
FKEE ka shprehur mirënjohje të veçantë për LuxDev për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin në përforcimin e sektorit të energjisë në vend./Katror.info