Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi Rishikimin e IV-të të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Rezilencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), duke konstatuar përfundimin me sukses të objektivave të të dy programeve, mbi bazën e performancës së fortë të dëshmuar dhe vlerësuar.
Në njoftimin e FMN-së, thuhet se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) po udhëheq me përkushtim zbatimin e reformave të rëndësishme për përmirësimin e qeverisjes dhe cilësisë institucionale, zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.
“Raporti i publikuar lidhur me këtë rishikim thekson se BQK-ja ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. BQK ka rishikuar Rregulloren e Punës të Bordit të saj, ka zbatuar riorganizimin e brendshëm, ka miratuar planin trevjeçar për zbatimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP) për të përmirësuar mbikëqyrjen bankare dhe ka përmirësuar kërkesat për raportimin e të dhënave për regjistrin e kredive,” thuhet në njoftimin e BQK-së.
“Për më tepër, Ligji për Bankat, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në dhjetor të 2024-së, por më pas i kontestuar në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, do të ndihmojë në përmirësimin e kritereve të licencimit dhe qeverisjes korporative, forcimin e kompetencave mbikëqyrëse të BQK-së dhe fuqizimin e mekanizmave për përmbylljen e bankave që përballen me sfida për të ushtruar aktivitetin e tyre”, njofton BQK.
FMN në raportin e saj gjithashtu thekson se reformat në vijim do të ndihmojnë në forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, mbikëqyrjes së rrezikut sistemik, gatishmërisë për përballimin e krizave dhe proceseve dhe mekanizmave institucionale, me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare./Katror.info
Njoftimi i FMN-së 🔗 https://www.imf.org/en/News/Articles/2025/05/19/pr25154-kosovo-imf-concludes-4th-review-of-kosovos-stand-by-and-rsf-arrangements/
Raporti i plotë i FMN-së 🔗 https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2025/05/21/Republic-of-Kosovo-Fourth-Reviews-Under-the-Stand-By-Arrangement-and-the-Arrangement-Under-567057/