“Team Rijad” që filloi si iniciativë për avokim për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar, tani ka marrë zyrtarisht formën e një fondacioni, që ëndrrat e këtyre fëmijëve po përpiqet t’i kthejë në realitet.
“Për me mbrri këtu ka qenë një andërr e jemja që është bërë realitet, normalisht me ndihmën e përkrahësve. E kam realizu këtë andërr në moshë shumë të re dhe jam shumë i lumtur që kam mundësi me kontribu për kategori që edhe vetë jam pjesë… Një rast që më bënë me u ndi shumë i lumtur është një rast në Gjilan, ku e kemi bërë një shkollë të qasshme për fëmijë me aftësi të kufizuar, aty e ka viju mësimin një fëmijë, ndoshta në klasën e dytë – tretë, dhe kur e kam parë lumturinë e tij apo edhe prindërve të tij, me të vërtetë është motiv për neve që me vazhdu tutje”, thotë Rijadi.
Në rrugëtimin e tij, Rijad Mehmeti, nga Prishtina i cili jeton me paralizë cerebrale, nuk ishte vetëm. Përveç familjes, në rrugëtimin e tij ishte i pandashëm edhe Adriani, i cili vetë kishte përjetuar për një kohë të qenët në karrocë.
“Unë edhe si sportist që jam, (nga lëndimi) më ka ra rasti me ecë edhe me paterica, por edhe me karrocë, bile është rasti konkret që sa herë që e përmendi, ndihem shumë i lumtur dhe krenar që më ka ndodhur, dhe është një prej rasteve ma të veçanta që më ka ndodhur, është kur e kemi bërë një shëtitje me Rijadin në vendbanimin tonë, ku edhe unë për shkak të një lëndimi jam kanë në karrocë me rrota. Ka qenë një eksperiencë prej më të mirave që më ka ndodh, se jam ndi shumë njëjtë me Rijadin. Nëse unë kam pas dje nevojë për një karrocë me rrota, ndoshta krejtve jeta ka me na sjellë një sprovë, që kemi me pas nevojë për të, por nuk do të thotë që duhet të ndihemi ndryshe, as ne, e as kjo kategori”, shprehet Adriani.
19 vjeçari Rijad Mehmeti, përmes nismës së shndërruar në Fondacionin “Team Rijad”’, po realizon ëndrrën e tij, që është krijimi i qasjes fizike për personat me aftësi të kufizuara në hapësirat publike.
“Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar nuk janë luks, por një nevojë elementare si nevojat e çdo njeriut, p.sh e drejta e lëvizjes, çdo njeri e ka këtë të drejtë, por te personat me aftësi të kufizuara kjo iu mohohet. Kështu që ne mundemi me punu, mundemi me bo një punë të madhe si fondacion, por ne nuk mundemi me funksionu pa ndihmën e institucioneve dhe pa ndihëm e shoqërisë.”
E veç kësaj, ata synojnë të ngrenë vetëdijen qytetare dhe të krijojnë kushte të barabarta për fëmijët e kësaj kategorie.
“Për neve si “Team Rijad” është shumë e rëndësishme pjesa e vetëdijesimit të qytetarëve lidhur me aftësinë e kufizuar, mundem me thënë që është njëri nga prioritetet tona, sepse në realitet shoqëria është avokuesi më i mirë, pra nëse një shoqëri ka informata lidhur me aftësinë e kufizuar… Një synim që e kemi ne është me arritë një rezultat të kënaqshëm në qasjen fizike në shkolla, kur e shohim që kemi arritë një rezultat të mirë, kemi me u mundu me vazhdu me nevojat tjera, siç janë edhe shumë nevoja tjera që dihet, si: karrocat elektrike, teknologjia asistive e kështu me radhë,” thekson Rijadi.

Ndër të tjera, është e rëndësishme të krijohet një kulturë e përfshirjes dhe respektit për fëmijët me aftësi të kufizuara në shoqëri. Kjo përfshin sensibilizimin e publikut dhe luftën kundër diskriminimit dhe stereotipave të paragjykimit që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Andaj për këtë Rijadi ka një mesazh, madje edhe për vetë prindërit të cilët duke u munduar t’i mbrojnë, shpesh i përjashtojnë fëmijët e tyre nga përfshirja.
“Një mesazh që kisha pas për prindërit me fëmijë me aftësi të kufizuar, është që me u mundu me mbledh sa ma shumë informacione për aftësinë e kufizuar, për shkak se dimë që deri vonë janë mbajtur larg shoqërisë fëmijët me aftësi të kufizuar, ndoshta nga vetë prindërit e tyre, jo me dashje, por prej frikës nga paragjykimet nga shoqëria. Ne si “Team Rijad” jemi të gatshëm me iu përgjigj për gjithçka me aq sa dimë dhe kemi mundësi”, shprehet ai.
Një nga sfidat kryesore për fëmijët me aftësi të kufizuara është qasja në arsim, prandaj, është e rëndësishme që të sigurohet një mjedis i përshtatshëm për të mësuar.
Edhe Adriani, një aktivist i pandalshëm në këtë çështje tregon ndryshimet që po sjellin ata me Fondacionin “Team Rijad”
“Në çdo hap që e kemi marrë me Rijadin, e kemi marrë bashkë, si për avokim, lobim, kemi qenë edhe në grupin e fëmijëve të Hendikos-it, dhe projekti i parë që ne e kemi marrë me Rijadin dhe me grupin tonë ka qenë në një ëorkshop, ose punëtori të UNICEF-it, që quhet UP- shift, ku e kemi fitu projektin dhe kemi marrë një shumë të hollash, për me bo të qasshme banjon në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë, dhe e kemi parë të arsyeshme për shkak që aty kanë qenë nëse nuk gaboj, plus 50 fëmijë me aftësi të kufizuar, që kanë viju mësimin në atë shkollë, dhe nuk ka qenë për ta e qasshme banjoja. Prej aty më ka pëlqyer shumë puna e avokimit dhe lobimit, dhe e kam parë shumë të arsyeshme edhe të nevojshme që me vazhdu me këtë aktivitet, dhe nuk jemi ndalë asnjëherë me Rijadin”, shprehet Adriani.
Shoqëria me Rijadin atë e bëri të kuptojë që një person me aftësi të kufizuara në fakt mund të jetë për të tjerë mësues për shumëçka.
“Diçka që na ka lidhë shumë dhe biseda e parë qe e kemi zhvilluar me Rijadin ka qenë rreth sportit që na dytë e shikojmë, që është futbolli dhe prej aty e kam kuptuar që Rjadi është mjaft i mirë, dhe i njeh mjaft mirë taktikat e futbollit. Në fillim nuk e kam ditë që Rijadi është aktivist, ose avokon dhe lobon për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, po pas pak kohe ka ardhur ora e lëndës së Edukatës Qytetare, ku e kemi pasë bashkë si temë ligjet për këtë kategori, ku e kam parë që Rijadi i njeh mjaft mirë ligjet si të kushtetutës tonë ashtu edhe ato me kushtetutë ndërkombëtare” shton Adriani.
Ai thotë se sfida më e madhe mbetet ende thyerja e barrierave paragjykuese të shoqërisë për të cilën ata po kërkojnë bashkëpunim edhe me institucionet.
“Kemi pasë takime të ndryshme me zyrtarë, siç është: kryeministri, presidentja, kryetarët e komunave, edhe kemi bo edhe aktivitete tjera qysh janë edhe instalacionet në shesh, për me mbrri njëherë atë vetëdijesimin, me ndryshu atë mentalitetin dhe me i thy ato barrierat që ne duhet me i llogaritë këtë kategori si ndryshe prej neve, dhe mendojmë që në këtë pikë ku jemi, ia kemi arritur deri-diku qëllimit, sepse edhe shoqëria si në vendbanimin tonë, si në shkollën ku kemi qenë dhe kemi viju mësimin, na kanë pranu njëjtë, kemi qenë shoqëri shumë e mirë, pa pasur asnjë dallim as për Rijadin as ndonjë fëmije tjetër me aftësi të kufizuar”, thotë ai.
Fondacioni ”Team Rijad” ka qenë në ballë të avokimit për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara që nga fillimi i tij në nëntor 2021. Ai është përkrahur nga shumë individë, organizata, e figura publike. Aktorja e njohur, që njihet për punën e saj vullnetare në të mirë të komunitetit, Anisa Ismaili, është mbështetëse e “Team Rijad.”
“Unë jam pjesë vullnetare e Team Rijad në atë fillimin e themelimit, më është bërë ftesa me qenë pjesë, sepse unë punoj punë vullnetare, dhe jashtëzakonisht shumë e du vullnetarizmin, edhe iu kam bashkangjitur grupit të “Team Rijad,” por pastaj kam vazhdu këtë punën edhe te Fondacioni. Nuk është se unë bëjë aty diçka, por natyrisht unë mundem me ndihmu, në kuptimin që me i ftu njerëzit me dhuru, sepse vetë emri “Team Rijad” kur është bërë Fondacion, kjo vetëm se e tregon një emër shumë të madh, “Team Rijad” me atë pak fondacion që ka bën punë jashtëzakonisht të mëdha. Dhe prej punëve vullnetare që bëj, “Team Rijad” e kam shumë për zemër, dhe me të vërtetë kisha pas dëshirë t’ju them njerëzve që të vijnë dhe të dhurojnë, sepse me këto fonde, ndërtohen tualete të ndryshme, po flas për gjërat më esenciale që mund t’i ketë një fëmijë në shkolla; ndërtohen pjerrina, pastaj fondacioni ka plane në të ardhmen, që mos të zbulojmë tani, dhe jam e lumtur që ky grup po shkon me një stad apo shkallë shumë të lartë dhe besoj që njerëzit vullnetmirë nuk do të mungojnë”, shprehet Anisa.
Anisa bën thirrje që edhe figurat tjera publike t’iu bashkohen kauzave të tilla, dhe të mbështetin ata që më shumti kanë nevojë.
“A beson që shpeshherë një fjalë e mirë ta ndreq ditën, ose një fjalë e keqe me mëngjes ta prish ditën, pra është shumë e rëndësishme edhe mbështetja morale, sepse një buzëqeshje e dikujt ty të gëzon, kështu që edhe kjo është e rëndësishme përveç pjesës tjetër financiare. Të qenët fytyrë publike është kjo, me thirr njerëz, sepse në shumë ndihmesa të tjera kur kam bërë, kanë ardhë për mu, që është e bukur, prandaj të njëjtën gjë kam vendos me vazhdu tutje me “Team Rijad”, që ndoshta për mu, por njëkohësisht, edhe dikë tjetër me ndihmu, dhe kisha bërë thirrje ‘Ejani, ejani ndihmoni’. Team Rijad është një grup shumë i hapur, të kthejnë përgjigje menjëherë, mund t’i gjeni në instagram në Facebook, kudo qoftë”, shprehet ajo.
Ajo që tani po realizohet, për Rijadin dikur ishte e pabesueshme, andaj ai falenderon të gjithë mbështetësit dhe kërkon që këto iniciativa të përkrahen në çfarëdo lloj mundësie.
“Në fillim nuk e kam besu që kemi me pas kaq shumë sukses, edhe si iniciativë, po kemi punu shumë që me pas një imazh të mirë dhe ia kemi dalë me themelu edhe Fondacionin. Në fillim përkrahjen më të madhe kam pas prej UNICEF-it, prej familjes time që më kanë përkrah në çdo hap temin, dhe janë mundu shumë që unë me mbërri këtu, ndërsa pas themelimit të iniciativës, kanë qenë bizneset private, p.sh një që mundem me cekë është Meka Halal Food. Një përkrahëse e jemja e madhe e cila më ka përkrah po aq sa familja ime është edhe Dafina Zuna, e cila më ka besu në çdo hap që e kena bo, ma ka jep mundësinë, unë me qenë zëri kryesor në çdo aktivitet të UNICEF-it, dhe pa ta s’kisha mund me kanë ku jam sot. Për individë që kisha dashtë me i falenderu janë anëtaret e bordit që i kemi. Fondacioni Team Rijad, pa përkrahjen e njerëzve dhe bizneseve private nuk kish mujt me funksionu, prandaj, është shumë e rëndësishme, mos të them gjëja më e rëndësishme që këto iniciativa me u përkrah”, thotë Rijadi.
Ndërsa Adriani thotë se një shoqëri si ajo me Rijadin është pasuri, dhe e tillë duhet të konsiderohet edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë.
“Shoqnia jonë, nuk duhet asnjëherë me pas paragjykime për këtë kategori të njerëzve. Unë ndihem shumë me fat dhe i lumtur, dhe e potencoj gjithmonë që një shok si Rijadi më vjen një herë në jetë, nuk është në asnjë moment që duhet me shiku një fëmijë të tillë si ma ndryshe si ne. Ata ndoshta kanë një nevojë ma të veçantë se na, por s’do të thotë që duhet me i bo me u ndi ma të papërfshirë se ne kategoritë tjetër. Kisha pas qejf që njëjtë si unë qysh e kam shoqninë me Rijadin me i pa edhe njerëzit e tjerë, mos me i lanë anash, në asnjë moment, por me kanë të inkuadrum në çdo aspekt, në çdo mënyrë: si në shkollë, si në rrugë, si në shoqni, si në familje, me kanë të përfshirë, sepse edhe këta janë, njëjtë sikur ne, ndoshta, sikur Rijadi që ka nevojë për një karrocë që i nevojitet për me qarkullu, unë kam nevojë për idetë e Rijadit, edhe për shumë aspekte tjera që edhe veçse ma ka dëshmu vetën, edhe si shok, por edhe me aftësitë e tij, ku kam pas nevojë për ndihmën e tij, shumë herë”, thotë Rijadi.
Kauzat për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar janë thelbësore për të siguruar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë. Edhe ju mundeni me kontribu në bërjen e jetës më të lehtë për këta fëmijë, duke kontribuar në forma të ndryshme në Fondacionin “Team Rijad.” /Katror.info
Edicionin #49 të plotë e gjeni KËTU 🙂
Përgatiti:
