Në një ceremoni të organizuar sot, Ambasadori i Francës, Olivier Guérot, ia ka dorëzuar ish-prokurores Drita Hajdari medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit.
Kjo mirënjohje nga Franca shpërblen veprimtarinë e shquar të zonjës Hajdari të realizuar falë angazhimit të saj profesional, shkruan Telegrafi.
sh-prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari është shquar me guximin, integritetin dhe vendosmërinë e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
Guximi dhe profesionalizmi është dëshmuar në veçanti ne shumë lëndë të ndjeshme, duke e bërë atë një figurë të respektuar në Kosovë dhe më gjerë. Puna e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës kontribuoi dukshëm në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e demokracisë në vend, thuhet në njoftim.
Pas një karriere të pasur dhe të përkushtuar, zonja Hajdari doli në pension në vitin 2023, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë. Ndikimi i saj vazhdon të frymëzojë gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe juristëve të përkushtuar për mbrojtjen e vlerave demokratike, të cilat i ndajnë Franca dhe Kosova.
Ceremonia u zhvillua në Rezidencën e Francës në Prishtinë, në prani të familjes, miqve dhe kolegëve të zonjës Hajdari si dhe autoriteteve vendore e ndërkombëtare. /Katror.info
Përgatiti:
