Kombëtarja e Kosovës ka luajtur baras me rezultat 0-0 në shtëpi ndaj Sllovenisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Pas përfundimit të ndeshjes në konferencë për shtyp doli përzgjedhësi Franco Foda, i cili foli për ndeshjen si dhe për situatën e Edon Zhegrovës.
Tekniku gjerman e vlerësoi barazimin, duke thënë se përballë kishin një kombëtare që po ashtu tregoi një ndeshje të mirë, përcjell Telegrafi.
“Po është e rëndësishme që morën një pikë. Sllovenia po ashtu luajti një ndeshje të madhe, por treguam se mund të luajmë fuqishëm në këto ndeshje të mëdha”.
Edon Zhegrova në këtë ndeshje nuk luajti nga minuta e parë dhe u aktivizua vetëm në fund të takimit.
Për këtë, Foda ka thënë se ka qenë i lodhur nga stërvitja e fundit dhe se atë po e trajtojnë me kujdes për shkak të lëndimit të pësuar së fundmi.
“Edoni është top lojtar, por nuk duhet të harrojmë që ai që nga janari nuk ka luajtur. Edoni ka qenë i lodhur nga stërvitja e fundit dhe duhet ta trajtojmë me kujdes”, përfundoi ai.
Kosova do të rikthehet në aksion të hënën ku përballë do ta kenë Suedinë në udhëtim./Katror.info