Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar, mori pjesë në garën “Cambrian Patrol” të organizuar nga Ushtria Britanike. Nga 118 ekipe pjesëmarrëse, përfshirë 35 ekipe ndërkombëtare nga 33 shtete të ndryshme, ekipi i FSK-së u shpall fitues i Medaljes së Argjendtë.
Gara “Cambrian Patrol” konsiderohet një nga sfidat më të mëdha ushtarake në botë, ku ekipet përballen me detyra si përgatitje taktike, përballje me rreziqe CBRN, operacione mjekësore, rikonicion dhe zbulim të forcave, sulm, eksploziv dhe fusha të minuara, kalim pengesash ujore dhe caqe të artilerisë fushore.
Ekipi i FSK-së nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë tregoi angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë, duke u dekoruar me Medaljen e Argjendtë. Çmimet iu dorëzuan nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, Gjeneral Sir Roly Walker. Nga FSK, pjesëmarrës në ceremoninë e ndarjes ishin Atasheu i Mbrojtjes, Kolonel Agron Bajrami, Komandanti i Regjimentit të Dytë, Nënkolonel Jaser Mulla, dhe Rreshter Major Komandues Fehmi Lulaj.
Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të shfaq profesionalizëm dhe rezultate të larta në aktivitetet ndërkombëtare./Katror.info