Në një ceremoni solemne të mbajtur sot, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë pranuar autoblinda të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Katror.info.
Ngjarja u zhvillua në prani të Kryeministrit Albin Kurti, Atasheut të Ushtrisë në Ambasadën e SHBA-së, Nënkolonel Jonathan Shaw, Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ministri Maqedonci e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në avancimin e FSK-së, duke theksuar se këto mjete të reja përforcojnë aftësinë e saj për të realizuar misionin kushtetues.
“Ky transformim nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e partnerit tonë strategjik dhe të pazëvendësueshëm — Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me dedikim ndaj vlerave perëndimore dhe standardeve të NATO-s, ne po ndërtojmë një forcë të avancuar, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve aleate,” tha Maqedonci.
Këto pajisje të reja, të standardizuara sipas kërkesave të NATO-s, synojnë rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët euro-atlantikë për sigurinë e vendit./Katror.info