Bjeshkët e Sharrit do të jenë sërish skenë e një ngjarjeje të veçantë sportive dhe kulturore. Më 6 shtator, dhjetëra vrapues vendorë e ndërkombëtarë do të marrin pjesë në tri gara malore të veçanta: 10 km Bear Trail, 35 km Oshlak Skyrace dhe 56 km Scardus Ultra.
Garat nisin nga Kalaja e Prizrenit, duke kaluar përmes majave të thepisura, peizazheve të egra e pikave ku kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kapërcehet me hapa të vetëm. Përveç sfidës sportive, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë natyrën e paprekur, llojet e rralla të faunës e florës, si dhe trashëgiminë e pasur kulturore të rajonit.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka shprehur mbështetjen për këtë aktivitet, duke e cilësuar si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar turizmin malor, kulturën e lëvizjes dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Të gjithë të interesuarit mund të regjistrohen dhe të mësojnë më shumë rreth sfidës përmes kodit QR të shpërndarë nga organizatorët./Katror.info.