Greta Thunberg, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ambientalistja suedeze e vizitoi sot Reporting House në kuadër të vizitës së saj dyditore në Kosovë.
Thunberg u takua me aktivistë nga organizata Termokiss dhe organizata të tjera rinore në Kosovë, si dhe kaloi dy orë në muzeun Reporting House për të kuptuar më tepër rreth historisë së aktivizmit dhe protestave qytetare të viteve të ’90-ta në Kosovë, njofton Reporting House.
Ajo u prit nga producentja jonë, Jeta Xharra dhe kuratori i muzeut Gaz Ejupi që së bashku me artistin e ri Vullnet Jakupi, folën për veprat e artit modern që ekspozohen në Reporting House dhe që reflektojnë për aktivizmin dhe konfliktin, si punimi për shkollat shtëpia nga Jakupi, etj.
Tutje Thunbgerg vizitoi edhe Galerinë e Reporting House ku po ekspozohet puna e artistit 18 vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjawi e që titullohet “Fragmente të mbijetesës”. Thunberg u interesua për reagimet e politikës dhe shoqërisë kosovare për situatën në Gaza. E shoqëruar nga aktivistë të rinj nga Kosova, Thunberg shprehu mirënjohje për zemërgjerësinë e njerëzve që ka takuar në Kosovë.
Jeta Xharra, producentja e ekspozitës tha se po e përcjellë aktivizmin e Gretës që një kohë të gjatë. “Ajo ka arritur të bëhet zëri i së ardhmes dhe në mënyrë shumë efektive ka tërhequr vëmendjen e botës për krizën ambientale”, tha ajo. Xharra theksoi po ashtu aktivizmin e Thunberg për padrejtësitë që po ndodhin në Gaza, duke e quajtur privilegj mundësinë për të rrëfyer historinë e padrejtësive në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta./Katror.info