Grupi ikonik i hip hop-it kosovar NR po rikthehet fuqishëm në skenë pas shumë vitesh mungesë. Katër anëtarët origjinal – BimBimma, Ergeni, Real1 dhe DJ Blunt – do të ribashkohen për një koncert ekskluziv më 7 nëntor në AMC Hall në Prishtinë.
I formuar në fund të viteve ’90, NR u shndërrua shpejt në një prej grupeve më me ndikim në skenën e hershme të hip hop-it shqiptar. Me tekstet e tyre autentike, ritmet e guximshme dhe mesazhet që reflektonin realitetin e pasluftës, ata sollën një frymë të re që ndikoi thellë në brezat e rinj të artistëve.
Albumi i tyre kult, “Egjeli” (2003), mbetet një pikë kthese në historinë e repit shqiptar dhe një prej projekteve më të vlerësuara në këtë zhanër.
Koncerti i 7 nëntorit shënon jo vetëm ribashkimin e katër anëtarëve të grupit, por edhe një moment nostalgjie dhe emocion për adhuruesit e hip hop-it vendor.
Ngjarja organizohet nga Rave Production dhe Prishtina Music Week, ndërsa biletat tashmë janë në shitje./Katror.info