Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka uruar për fitoren kryetarin e Prishtinës dhe kundërkandidatin e tij të balotazhit të së dielës, Përparim Ramën.
Ai në një status në Facebook ka falënderuar përkrahësit e partisë së tij.
“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, – ka shkruar Çeku.
Çeku ka thënë se do të jetë në shërbim të Prishtinës me të njëjtin përkushtim.
“Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, – ka shkruar ai në Facebook.











