Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka hapur thirrjen për klubet që dëshirojnë të marrin pjesë në Ligën Zhvillimore për Vajzat U21, e cila do të zëvendësojë Ligën e Parë të Femrave për sezonin 2025/2026, shkruan Katror.info.
Klubet e interesuara mund të dorëzojnë aplikimet nga data 17 korrik deri më 8 gusht 2025, në mënyrë elektronike në emailin zyrtar [email protected] ose fizikisht në zyrat e FBK-së.
Liga Zhvillimore synon fuqizimin e talenteve të reja të basketbollit femëror në Kosovë, duke i dhënë hapësirë lojtareve nën moshën 21 vjeç dhe mundësi për përfshirjen e kontrolluar të lojtareve me përvojë.
Kriteret kryesore për pjesëmarrje përfshijnë përbërjen kryesisht me lojtare të lindura më 1 janar 2004 e më vonë, lejen për maksimum dy lojtare mbi moshën 21 vjeç, dhe kërkesën për klubet të jenë të licencuara dhe të regjistruara në FBK, me trajnerë të licencuar dhe dokumentacion ligjor e financiar në rregull.
FBK inkurajon të gjitha klubet që punojnë me të rinj dhe përkushtohen në zhvillimin e basketbollit të femrave të aplikojnë dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe zhvillues për talentet e reja në Kosovë./Katror.info