Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis IKSHPK dhe Konzorciumit Evropian të Trajnimeve në Shëndet Publik dhe Promovim të Shëndetit (ETC‑PHHP), të martën u inaugurua Shkolla Verore e 34-të e ETC-PHHP, me temën “Komunikimi për Promovimin e Shëndetit”, e cila zhvillohet deri më 25 korrik 2025 në Shkrel të Rugovës.
Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Ardita Baraku, në fjalën hyrëse theksoi se ky program njëjavor ofron mundësi të pasura për përvetësimin e njohurive të reja dhe për diskutime të thelluara mbi qasjet teorike dhe praktike të komunikimit në promovim shëndetësor, raporton Katror.info.
“Në këtë edicion, rrjeti i ligjëruesve të ETC‑PHHP përbëhet nga profesorë dhe profesionistë të shëndetit publik nga vendet e ndryshme evropiane si dhe nga Prof. Merita Berisha, Drejtoreshë e Departamentit të Mjekësisë Sociale në IKSHPK dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës,” thuhet në njoftimin e IKSHPK.
Pjesëmarrësit, që përfshijnë: ekspertë nga IKSHPK, QRSHP, QKMF dhe institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare, do të shkëmbejnë përvojat dhe do të diskutojnë mjetet e punës, duke reflektuar mbi qasjet e ndryshme bashkëpunuese për promovimin e shëndetit, me qëllim të fuqizimit të komuniteteve të qëndrueshme dhe të shëndetshme./Katror.info