Organizata LIZA-R ka shpallur sot hapjen e aplikimeve për 20 bursa studimore, të dedikuara për studentët e dalluar nga e gjithë Kosova. Përveç rezultateve të larta akademike, përparësi do t’u jepet atyre që përballen me sfida sociale dhe ekonomike.
Çdo bursë ka vlerën prej 450 euro, e ndarë në tre këste gjatë vitit akademik (shtator, janar dhe qershor). Aplikimet janë të hapura për studentët nga viti i dytë e tutje në fusha të ndryshme: Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Farmaci, Fizioterapi (nota mesatare mbi 8.0), Shkencat Sociale (nota mbi 9.0) dhe Shkencat Teknike (nota mbi 8.5).
Kriteret sociale për përparësi përfshijnë familjet në skema sociale, fëmijët e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, jetimët, studentët nga zonat rurale dhe ata nga familje me gjendje të rëndë ekonomike.
Afati i aplikimit është deri më 5 shtator 2025. Dokumentet duhet të dërgohen në një skanim të vetëm PDF në adresën [email protected], ndërsa kandidatët e përzgjedhur do të ftohen të dorëzojnë dokumentet origjinale.
Ky program mundësohet falë donacionit të IHH Nederland, i cili prej vitesh mbështet të rinjtë në Kosovë./Katror.info