Ish-mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Herolind Shala, është nderuar sot me “Mirënjohjen e Karrierës” nga Federata e Futbollit të Kosovës. Ceremonia u mbajt para fillimit të ndeshjes Kosovë – Zvicër në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ia dorëzoi atij këtë çmim të veçantë.
Nën duartrokitjet dhe brohoritjet e tifozëve, Shala u përshëndet si një nga futbollistët që kanë dhënë gjithçka për fanellën dardane. Ai u vlerësua për përkushtimin, karakterin dhe sakrificën që tregoi në çdo paraqitje me Kosovën – si lojtar që nuk kurseu veten dhe që u shndërrua në shembull për bashkëlojtarët dhe frymëzim për tifozët.
Në fjalën e tij, presidenti Ademi theksoi se kontributi i Shalës do të mbetet pjesë e pandashme e historisë së futbollit kosovar, ndërsa tifozët e pranishëm e pritën me respekt të veçantë futbollistin që për vite me radhë i dha ritëm dhe energji mesfushës së Kosovës.
Herolind Shala largohet nga skena e futbollit aktiv, por mbetet një emër i nderuar dhe i dashur për sportdashësit dardanë — një lojtar që me zemër, disiplinë dhe shpirt luftarak ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kombëtares./Katror.info











