Simboli @, që sot përdoret çdo ditë në email dhe rrjete sociale, ka një histori mijëravjeçare dhe emra të ndryshëm nëpër botë.
Në Tajvan e quajnë “miu i vogël”, në Rusi “qen”, në Holandë “bisht majmuni”, ndërsa italianët i thonë “kërmill”. Në Spanjë përdoret edhe si simbol gjinor neutral – për shembull “amig@s”, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
Origjina e lashtë
Shenja @ lidhet me amforat e Greqisë së lashtë – enë balte për verë, vaj dhe drithëra. Tregtarët filluan ta përdornin si shenjë për të treguar sasinë e mallrave dhe më vonë edhe çmimet. Në vitin 1536, një tregtar italian e përdori @ për të treguar një amforë vere – rasti i parë i njohur modern. Megjithatë, shenja ka ekzistuar edhe më herët si zbukurim në letra dhe dorëshkrime, pa kuptim të veçantë, duke u përdorur si stoli në fjalën “amen” në dorëshkrime bullgare të shekullit XIV.
Nga makinat e shkrimit tek email-i
Në shekullin XIX, @ u fut në makinat e shkrimit për kontabilitet, si një mënyrë për të shënuar çmimet dhe sasinë e mallrave. Makina e shkrimit ndihmonte të shmangej keqshkrimi dhe e bënte punën më efikase. Por në vitin 1971, shkencëtari amerikan Ray Tomlinson e përdori për të dërguar email-in e parë, duke e vendosur simbolin në mes të adresës dhe duke i dhënë @ një rol krejt të ri në komunikimin global.
Një simbol i identitetit tonë
Sot, @ nuk është thjesht një shenjë. Ai lidhet ngushtë me identitetin tonë digjital dhe mënyrën se si na shohin të tjerët online – nga email-et tek rrjetet sociale dhe username-t që zgjedhim për veten. Duke përdorur @, krijojmë një “fjalë të vetme” që na përfaqëson, dhe emrat e përdoruesve shpesh pasqyrojnë personalitetin tonë, gjë që e bën simbolin pjesë të pandashme të kulturës digjitale.
Emra të çuditshëm në botë
Simboli @ ka marrë shumë emra krijues ndër vite: në Itali chiocciola (“kërmill”), në hebraisht ndonjëherë “strudel”, në Çeki zavináč (peshk i mbështjellë), në Rusi sobaka (“qen”) dhe në Holandë apenstaartje (“bisht majmuni”). Ky simbol i vogël ka arritur të bashkojë kultura, gjuhë dhe shekuj, duke mbetur një pjesë e rëndësishme e jetës sonë digjitale dhe të komunikimit global. /Katror.info
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info