Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lidhur me numrin e banesave të pabanueshme në Prishtinë dhe në nivel vendi nuk pasqyrojnë realitetin e tregut të banesave dhe po keqinterpretohen në opinionin publik. Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate, Faton Hoxha, ka sqaruar këtë çështje gjatë një interviste në emisionin “Përballje Podcast”, duke theksuar se metodologjia e ASK-së përfshin edhe banesa që janë ende në proces ndërtimi ose shitjeje, shkruan Telegrafi.
“ASK i klasifikon si të pabanueshme edhe banesat në objekte që nuk janë ende përfunduar plotësisht ose që janë në fazën e shitjes. Nëse një ndërtesë ka 50 banesa dhe vetëm një familje ka hyrë, statistikat i paraqesin 49 banesa të lira,” tha Hoxha.
Sipas tij, këto të dhëna janë teknike dhe statistikore, por shpesh interpretohen gabimisht si sinjal i rënies së kërkesës për banesa në Kosovë.
Hoxha theksoi se aktiviteti i vazhdueshëm ndërtimor dhe numri i lejeve ndërtimore të lëshuara tregojnë se kërkesa reale për banesa vazhdon të mbetet e lartë.
“Në momentin që kërkesa do të binte, nuk do të kishte as leje të reja ndërtimi dhe as projekte të reja,” u shpreh ai.
Ai shtoi se ndërtuesit nuk kanë interes të mbajnë banesa të pashitura, pasi sektori i ndërtimit lidhet drejtpërdrejt me shitjen dhe qarkullimin financiar.
“Kur nuk ka shitje, nuk ka as ndërtim,” theksoi Hoxha.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për pasojat e ndërtimit pa leje dhe për vonesat në planifikimin urban, duke theksuar se mungesa e planeve të qarta zhvillimore ka krijuar probleme serioze për infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Legalizimet janë të domosdoshme, por mungesa e planifikimit urban ka prodhuar pasoja të mëdha,” tha ai.
Hoxha u bëri thirrje komunave që të jenë më efikase në hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese, duke vlerësuar se ndërtimtaria ka avancuar më shpejt sesa planifikimi urban.
“Kjo diferencë po krijon probleme që në fund i paguajnë qytetarët,” përfundoi ai, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ndërtimit nuk mund të arrihet pa planifikim urban funksional dhe zgjidhje afatgjata për procesin e legalizimeve. /Telegrafi/Katror.info














