Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton opinionin publik se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të manganit dhe rrjedhimisht ky ujë mund të pihet.
“Analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e parametrave bazik dhe Laboratorin analitik – ICPMS tregojnë se vlerat më të larta të përqendrimeve të manganit në këtë zonë kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l, duke qenë të gjitha brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”,” thuhet në njoftim.
“Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje me UA 10/2021, uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije. IKShPK, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët,” thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
Uji i Badocit ishte ndaluar për konsum që nga 1 shtatori./Katror.info