Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për pije, duke paralajmëruar për tejkalim të normave të lejuara të manganit në disa mostra të analizuara.
Sipas njoftimit, analizat laboratorike të ditëve të fundit kanë treguar se përqendrimi i manganit në ujin e marrë nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit tejkalon kufirin e lejuar prej 0.05 mg/l, të përcaktuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 10/2021 për “Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu”.
Po ashtu, është konstatuar se vlerat e larta të manganit kalojnë edhe standardin shëndetësor prej 0.3–0.4 mg/l, mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndetin e njeriut.
Në këtë situatë, IKShPK ka apeluar tek qytetarët që furnizohen nga kjo fabrikë që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të ri, duke theksuar se masa është ndërmarrë për mbrojtjen e shëndetit publik. /Katror.info