Në një ceremoni të mbajtur në Dhomën e Lordëve në Londër, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, u nderua me çmimin “Global Inspirational Leadership Award” për vitin 2025. Ky çmim prestigjioz u jepet liderëve që kanë demonstruar udhëheqje vizionare dhe ndikim të rëndësishëm në komunitetet e tyre, duke frymëzuar dhe fuqizuar të tjerët përmes veprimeve të tyre, shkruan Katror.info.
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasadori Kapiti shprehu mirënjohjen e tij të thellë për këtë nderim, duke falënderuar kolegët dhe komunitetin që e kanë frymëzuar gjatë rrugëtimit të tij profesional.
“Jam thellësisht i nderuar të marr çmimin Global Inspirational Leadership Award për vitin 2025 mbrëmë në Dhomën e Lordëve.
Kjo njohje pasqyron udhëtimin tim të jashtëzakonshëm për të cilin falënderoj kolegët mi dhe komunitetin tonë që më kanë frymëzuar në çdo hap të rrugës. Faleminderit!”, shkroi Kapiti në Facebook.
Ambasadori Kapiti, i cili shërben si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar që nga dhjetori 2021, ka një karrierë të shquar në shërbimin publik dhe diplomaci. Para emërimit të tij si ambasador, ai ka punuar si konsulent biznesi për USAID dhe ka shërbyer në programe të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe proceset e privatizimit në Kosovë./Katror.info