Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka inauguruar sot dy çerdhe të reja në komunën e Gjakovës, duke rritur kapacitetet për edukimin e hershëm në këtë rajon, shkruan Katror.info.
Në lagjen Shishmon, është përuruar çerdhja e re me vlerë 79,530 euro, e cila do të mirëpresë 40 fëmijë. Ndërsa në fshatin Bishtazhin, është inauguruar një tjetër çerdhe, me investim prej 126,613.82 euro, e cila do të ofrojë shërbime për 70 vogëlushë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi rëndësinë e këtyre investimeve për komunitetin lokal dhe për zhvillimin e fëmijëve në moshë të hershme. Ajo nënvizoi se deri tani, MAShTI ka investuar 11,835,812.42 euro në Gjakovë gjatë këtij mandati, duke përmbushur premtimet me përgjegjësi dhe integritet.
“Çdo fëmijë në Republikën e Kosovës meriton më të mirën, dhe ne jemi të përkushtuar ta garantojmë këtë,” u shpreh ministrja Nagavci gjatë ceremonisë së inaugurimit.
Këto investime janë pjesë e strategjisë së MAShTI për të zgjeruar dhe përmirësuar infrastrukturën arsimore në mbarë vendin, me fokus të veçantë në edukimin parashkollor, duke siguruar kushte optimale për zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve./Katror.info