KOSTT ka inauguruar Nënstacionin 110/35/10(20)kV në Fushë Kosovë, me teknologjinë më të fundit GIS, që përmirëson furnizimin me energji për mbi 15,000 banorë dhe biznese. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi projektin një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit dhe cilësisë së furnizimit energjetik në Kosovë.
“Është inauguruar Nënstacioni i ri i KOSTT 110/35/10(20)kV, me teknologjinë më të fundit (GIS) i cili do të përmirësojë furnizimin me energji për 15,000 banorë dhe biznese të Fushë Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se inaugurimi i energjizimit të nënstacionit të ri të KOSST-it 110/35/10(20)kV, në Fushë Kosovë është një hap tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas saj, ky nënstacioni pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike tek qytetarët e komunës së Fushë Kosovës, duke siguruar më shumë stabilitet për konsumatorët dhe duke ndihmuar në plotësimin e nevojave në rritje të rrjetit energjetik të vendit.
“Ky projekt është një dëshmi e angazhimit për zhvillimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme në sektorin e energjisë”, tha ajo.
Me vlerë investimi prej mbi 6.4 milionë euro, nënstacioni garanton siguri maksimale në operim dhe minimizon ndikimin në mjedis. Projekti u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve rregullatore të energjisë./Katror.info