Një përvojë unike artistike po vjen në Danimarkë. Vitin e ardhshëm, në Muzeun e Artit ARoS në Aarhus do të hapet instalacioni më i madh në botë i tipit “Skyspace”, vepër e artistit të njohur amerikan James Turrell – dhe do të ketë përmasa po aq të mëdha sa kupola e Pantheonit të Romës, shkruan Time Out, transmeton Katror.info.

Por çfarë është një “Skyspace”? Kjo është një seri veprash që Turrell i nisi në vitet ’70, të cilat përshkruhen si “vëllime monumentale arti dhe arkitekture me një hapje të madhe në tavan që kornizon qiellin”. Në pamje të parë duken si dhoma të mëdha me dritare në tavan, por përmes manipulimit të dritës dhe errësirës, Turrell i kthen ato në përvoja shqisore që ftojnë vizitorët të ndiejnë ndryshimin e ngjyrave dhe dritës natyrore. “Unë formësoj vetë përvojën e të parit, në vend se të ofroj një imazh”, ka thënë artisti.

Instalacioni i ri, me titull “As Seen Below – The Dome”, do të përfshijë një tunel nëntokësor që të çon në një sallë gjigante me kupolë, e ngjashme me një stacion hapësinor futuristik. Me lartësi 16 metra dhe diametër 40 metra – sa vetë Pantheoni – kjo hapësirë imponuese do t’i ftojë vizitorët të reflektojnë mbi lidhjen e njeriut me natyrën, qiellin dhe planetin tonë të përbashkët.
“Skyspace” do të hapet më 19 qershor 2026 dhe do të jetë një pjesë e përhershme e muzeut ARoS. Projekti është pjesë e një programi më të gjerë zhvillimi që përfshin gjithashtu një galeri të re nëntokësore dhe “Art Square”, një hapësirë të jashtme të përhershme për ekspozita arti.
Një zëdhënës i muzeut tha se janë “të lumtur që ARoS do të bëhet shtëpia e Skyspace-it më të madh të Turrell-it”, duke e cilësuar atë “jo vetëm si një vepër të jashtëzakonshme arti, por edhe si një pikë të re referimi kulturore për qytetin e Aarhusit”.

Dhe ndonëse përshkrimi mund të tingëllojë mahnitës, vepra e Turrell është e tillë që duhet parë për ta besuar – një përvojë që premton të ndryshojë mënyrën se si e shohim dritën dhe qiellin. /Katror.info
Burimi: Time Out
Përktheu dhe përshtati: Katror.info














