Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një mesazh të fuqishëm ku riafirmon angazhimin e tij të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të çdo fëmije pa dallim.
Në njoftim theksohet se çdo fëmijë meriton dashuri, siguri, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta për të zhvilluar potencialin e tij. Avokati i Popullit kujton se përgjegjësia për mirëqenien e fëmijëve ndahet mes institucioneve, komunitetit, familjeve dhe gjithë shoqërisë, duke theksuar se çdo vendimmarrje duhet të ketë në qendër interesin më të lartë të fëmijës.
Institucioni nënvizon se çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë i mbrojtur nga dhuna, abuzimi, keqtrajtimi dhe diskriminimi, ndërsa angazhohet të monitorojë zbatimin e të drejtave të tyre, të identifikojë mangësitë dhe të kërkojë masa konkrete nga autoritetet për përmirësimin e situatës.
“Nuk bëhet fjalë për çështje simbolike – të drejtat e fëmijëve janë detyrim që kërkon veprim të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Avokati i Popullit uron që çdo fëmijë të gëzojë një fëmijëri të sigurt, të drejtë dhe të lumtur, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre si investimin më të vlefshëm për të ardhmen e shoqërisë./RTK/Katror.info











