Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, kanë formalizuar sot marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Kjo marrëveshje është bërë e ditur në tryezën shkencore të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Naim Berisha, u.d i Drejtorit të Institutit Albanologjik-Prishtinë, theksoi rëndësinë e aktivitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare.
Ai njoftoi se sot u formalizua marrëveshja e bashkëpunimit midis dy institucioneve.
“Ky aktivitet i rëndësishëm, kjo tryezë shërben për të lidhur marrëdhëniet tona duke përfshirë bashkëpunimin me fakultetin e Shkupit. Sot përveç kësaj tryeze shënojmë ditën e rëndësishme të gjuhës amtare që nënkupton rëndësinë e gjuhës. Sot është një ditë e shënuar e rëndësishme për të dy institucioneve tona, do ta formalizojmë marrëveshjen e dy vendeve të bashkëpunimit”, ka thënë Berisha.
Mustafa Ibrahimi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit “Nënë Tereza”, theksoi lidhjen e kësaj dite me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe potencoi shqetësimet për ruajtjen e gjuhës arbëreshe.
“Të flasim për datën e sotme të rëndësishme, sot 21 shkurt u zgjodh dita ndërkombëtare për të përkujtuar studentet e Bangladeshit të cilët u vranë nga pakistanezët. Kjo datë asocion te populli shqiptar i Kosovës dhe i Maqedonisë së Veriut. Kur jemi te kontributi kanë dhënë shumë institucione nga Shkupi. Në librin e kuq është e rrezikuar gjuha arbëreshe dhe besoj që në këtë aktivitet të preken këto çështje”, ka thënë Ibrahimi.
Ismet Osmani, Shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup, shpreson që këto aktivitete të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor.
“Këto data janë ato të cilat na bashkojnë për të biseduar për shumë tema të ndryshme. Këtu jemi edhe nga malli dhe nga halli, në këtë konferencë nuk besoj që zgjidhen problemet, por të jetë kampanjë për t’u vetëdijesuar. Uroj që të debatojmë të flasim mirë dhe të rrahim tema për të mirën e gjuhës dhe se si të punojmë dhe ta ruajmë gjuhën shqipe”, ka thënë Osmani./Katror.info