Instituti Albanologjik i Prishtinës, konkretisht Dega e Etnologjisë, organizoi sot një tryezë shkencore kushtuar veprimtarisë së çmuar studimore dhe akademike të profesoreshës dhe etnologes së njohur, Drita Halimi Statovci, shkruan Katror.info.
Nga ora 10:00, në ambientet e Institutit, studiues, etnologë dhe bashkëpunëtorë të saj u mblodhën për të vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e etnologjisë shqiptare.
Me këtë rast, profesoresha Halimi Statovci u nderua me një mirënjohje nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të IAP-së, Naim Berisha, dhe shefja e Degës së Etnologjisë, Angjelina Hamza Hasanaj, e cila mbajti edhe fjalën hapëse të tryezës.
Gjatë këtij organizimi shkencor, studiuesit Lumnije Kadriu, Angjelina Hamza Hasanaj, Zanita Halimi, Valon Shkodra, Rini Useini dhe Arlinda Veliu Sadiku referuan mbi veprën dhe kontributin e profesoreshës Statovci, e cila njihet si etnologe e parë grua në Institutin Albanologjik, si dhe themeluese e studimeve universitare etnologjike në Universitetin e Prishtinës, respektivisht në Departamentin e Antropologjisë.
Kontributi i Drita Halimi Statovcit është konsideruar si një udhërrëfyes i pazëvendësueshëm për brezat e rinj të studiuesve dhe etnologëve shqiptarë./Katror.info